Tuesday, February 11, 2014

Allahu i Madhërishëm

Atributet e Zotit nga Kurani Famëlartë

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Çdo lavdërim i takon vetëm Allahut, Zotit të botërave, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.

Nga hadithet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar mizorinë Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni mizori dhe dhunë njëri-tjetrit. O robërit e Mi!

Nga shkrimet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh, nëse gjen

Katër atribute themelore të Zotit

Sipas terminologjisë së Kuranit, Allah quhet ajo Qenie, vetitë e të cilit, për sa i takon bukurisë dhe mirësisë së tyre, ndodhen në pikën më të lartë të përsosmërisë.

Koncepti i Zotit në Islam

Vetëm Islami është ajo fe që paraqet konceptin e një Zoti universal. Sipas tij Ai është Zoti i botërave i Cili nuk i përket ndonjë kombi apo populli të caktuar

Përsosmëria e fjalës Allah

I përsosur si i emëruari i tij, ky emër deri në fund të shkronjës së tij, tregon të njëjtin personalitet. Kjo do të thotë se nëse do t’i heqim, një nga një nga fillimi deri në fund, të gjitha shkronjat e këtij emri, ai jep të njëjtin kuptim.

Tri pyetje rreth Zotit

Si është gjendja e sotme për besimin në Zot?
Nëse Zoti ekziston, pse nuk duket?
Pse duhet ta kërkojmë Zotin?

Gjendja e sotme për besimin në Zot

Në fillim desha të shprehja pikëllimin dhe brengën time për gjendjen e sotme të njerëzve për besimin në Zot, në përgjithësi. Sa për të thënë, të gjitha fetë që janë në botë, besojnë në qenien e Zotit. Njerëzit që u përkasin feve të ndryshme, thonë se janë besimtarë të Tij, përveç një pjese të vogël që e mohojnë kategorikisht Zotin. Por, nëse do të vështrosh në thellësi dhe ta studiosh gjendjen e tyre të besimit, atëherë do të shohësh se ky besim është vetëm një trashëgim traditash që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ngaqë fetë e tyre u mësojnë dogmën se “ju keni një Zot” dhe po ashtu ata, brez pas brezi, e dëgjojnë thënien se “kemi një Zot” edhe vetë ata e ndiejnë që duhet të jemi të bindur në fenë tonë, sa të mos shthuret gërshetimi i shoqërisë; për më tepër atyre u ngjallet herë pas herë zëri i instinktit të tyre që u thotë se ndoshta në të vërtetë ne kemi një Zot, ndaj ata nuk guxojnë ta mohojnë kategorikisht Zotin dhe e quajnë veten besimtarë. Por në të vërtetë ata nuk besojnë në Zot dhe zemrat e tyre janë boshe për nga besimi, ashtu si një shtëpi e braktisur nga njerëzit e saj.
Unë nuk e them këtë për ndonjë popull të caktuar ose për njerëzit e ndonjë feje të caktuar, por e them për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha fetë e botës. Sepse unë shoh që ndjekësit e feve të ndryshme, d.m.th. zorastrianët, budistët, hindutë, hebrenjtë, krishterët, myslimanët etj, të gjithëve u është futur thellësisht ky helm, i cili mund të quhet “helmi i mosbesimit”. Erërat përvëluese të materializimit s’kanë lënë asnjë kopsht të besimit pa e zhuritur. Nëse dikush më kërkon prova për mendimin tim atëherë, me bekimin e Zotit, mund të nxjerr mjaft arsye që nuk mund t’i mohojë ndonjë i mençur. Por, këtu unë dua t’ia shtroj pyetjen atyre që dyshojnë në këtë se; a mund të thonë ata me sinqeritet, pasi të kenë shqyrtuar zemrat e tyre dhe të kenë analizuar njerëzit që jetojnë rreth tyre, se a besojnë ata në Zot në të vërtetë? Nuk flas për besim ritual, të trashëguar nëpërmjet gojëdhënave, por e kam fjalën për besimin e vërtetë dhe të gjallë. Qenia e Zotit, a është aq e ndjeshme dhe e dëshmuar për ta, ashtu siç i shikojnë dhe i dëshmojnë gjërat materiale të kësaj bote? Domethënë a besojnë ata në Zot ashtu siç kanë besim, për shembull, se ky është dielli, kjo është hëna, ky është mali, ky është lumi, kjo është shtëpia jonë, këta janë prindërit tanë, ky është miku im? Nëse ata nuk kanë besim të tillë atëherë duhet të kuptosh se ky s’është besim, por është vetëm një lloj dyshimi dhe kjo është sikur ata kanë përqafuar një të vdekur dhe të kalbur duke menduar atë si të gjallë.
Nëse thoni se ky nivel i besimit është niveli më i lartë, të cilin shumë pak njerëz e arrijnë dhe ata janë njerëz të zgjedhur, atëherë unë ju them se edhe kjo është një dëshmi për paditurinë tuaj. Sepse niveli më i lartë i besimit është ai, shijen e të cilit nuk e dini fare dhe ndoshta shumë prej jush as nuk mund ta imagjinoni. Niveli i besimit që kam përmendur më lartë, që duhet të besosh në Zot në mënyrë të atillë siç beson në gjërat materiale të kësaj bote, faktikisht është një nivel mesatar. Në një Hadith (thënie e Profet Muhammedit s.a.v.s.) që një nga dukuritë e përgjithshme të besimit është se besimtarit i pëlqen të hidhet në zjarr dhe të digjet, por nuk e lë besimin e tij. Por unë ju them se nëse ju jeni larg prej kësaj dukurie, atëherë dua t’ju pyes vetëm kaq: më thoni sinqerisht se a ndikon besimi juaj si diçka e vërtetë dhe e gjallë mbi jetën tuaj të përditshme? A e ndieni në të vërtetë dashurinë ndaj Zotit dhe frikën e zemërimit të Tij? A ju nxit realisht besimi juaj për të mirën dhe a ju largon nga e keqja? Në të gjitha çështjet, a  keni besim të vërtetë tek Zoti apo te mjetet materiale?
Nuk e kam fjalën që a ndieni ndonjë lidhje në zemrën tuaj ndonjëherë me Zotin, apo kujtimi i Tij, ndonjëherë, ju ndalon nga mëkatet dhe ju nxit për vepra të mira, ose nëse kur bindja juaj shkon te Zoti duke mos menduar për mjetet materiale? Sepse ndodhi të tilla ngandonjëherë, nuk mund të thuhet se janë pasojë e besimit. Në një gjendje të tillë mund të bie edhe ai, që jo vetëm që nuk e mohon Zotin, dhe herë pas here i shkon mendja se “ndoshta në të vërtetë ka një Zot, që më ka krijuar mua dhe që drejton tërë sistemin e gjithësisë, para të Cilit unë duhet të paraqitem një ditë”. Një njeri i tillë, deri në një farë mase, sigurisht do të ndiejë një lidhje me përfytyrimin e Zotit, i krijuar nga vegimi i tij, i cili nganjëherë e largon atë nga mëkatet dhe e nxit rrallëherë për të mirën, dhe shikimi i tij disa herë i kapërcen edhe mjetet materiale dhe shkon te Zoti dhe ai fillon të mendojë se qenia më e besueshme është qenia e Zotit. Kjo nuk është gjendja e besimit, por mund të quhet vetëm një gjendje dyshimi, e cila e bën të lëkundet si lavjerrës. Besimi i vërtetë është vetëm ai që bëhet një pjesë e pakëputshme e jetës së njeriut, bëhet ushqimi i shpirtit të tij dhe që vepron si një fener udhëzimi, që gjithmonë e largon nga rrugët e zymta të mëkateve, nëpërmjet këtij feneri, para syve të tij, shfaqen rrugët e veprave të mira dhe të gjitha mjetet materiale nuk i vlejnë asgjë për të, d.m.th. të mos ketë besimin e vërtetë në ato, por ta ketë vetëm në qenien e Zotit të Madhërishëm që është krijuesi i të gjitha mjeteve. Dhe pastaj zjarri i dashurisë ndaj Zotit gjithmonë të jetë i ndezur në zemrën e tij, si dhe frika e zemërimit të Tij ta ndalojë atë nga rrugët e këqija.
A gjeni një besim të këtillë në zemrat tuaja? Nëse jo, dhe ka shumë mundësi që jo, atëherë duhet të turpëroheni që të quani veten besimtarë, andaj nisuni në kërkim të atij besimi që zbret nga qielli dhe si një llambë e ndritshme i ndriçon edhe skajet më të errëta të zemrës suaj. Atëherë, qenia e Zotit nuk mbetet si një idhull i përfytyruar, i krijuar nga mendja juaj, por Ai do t’ju shfaqet i Gjallë, i Përjetshëm, Sundues i Gjithëfuqishëm por edhe i Gjithëmëshirshëm dhe Dashamirës, mbretëria e të Cilit do t’ju duket shumë më e besueshme se mbretëritë e kësaj bote.
Pra, ky realitet nuk mund të mohohet që besimi i vërtetë në këtë kohë mungon në botë. Ai mungon jo vetëm në zemrat e njerëzve të thjeshtë, por edhe në zemrat e atyre që quhen klerikët e feve dhe që kujtojnë se janë kujdestarë të besimit të njerëzve, pra edhe ata janë bërë pre e ateizmit. Ata, ose po e mashtrojnë botën, ose vetë janë të mashtruar, sepse fjalët e tyre janë të pasura, por zemrat janë të zbrazëta.  Sot, në të vërtetë, bota është e kapluar nga një errësirë e thellë në lidhje me besimin, dhe nuk duket asnjë dritë e dobët në ndonjë skaj të botës, që mund t’i ndriçojë disi rrugën ndonjë udhëtari të lëkundur. A nuk do të ishte e nevojshme, që në një kohë të tillë të errët, sipas praktikës së hershme të Zotit të Mëshirshëm, dielli i paraqitjes së Tij të lindej nga horizonti i zemrës së ndonjë robi të Tij të pastër dhe ta ndriçonte botën? O të dashurit e mi! Zgjohuni, dhe vendoseni ballin tuaj të përulur para pragut të Zotit, se Ai e pa gjendjen tuaj dhe e ka ngritur diellin e Tij shpirtëror nga Lindja për ju. Tani, hapni dritaret e zemrës suaj dhe lini këto rreze shpirtërore të futen në to, sa t’i largojnë errësirat e dyshimeve nga zemrat tuaja dhe sa të shndërrohet nata juaj në ditë.

Nëse Zoti ekziston, pse nuk duket?

 Tani, para së të filloj temën kryesore, dua të heq një dyshim që zakonisht lind në zemrat e njerëzve: nëse ka Zot, atëherë pse nuk duket? Faktikisht ky dyshim nuk është i sotëm, por atë mund ta gjejmë në çdo kohë. Kështu që, në Kuranin e Madhërishëm është përmendur se edhe ateistët e shkretëtirës së Arabisë, i kishin bërë të njëjtën pyetje Hazret Muhammedits.a.v.s. (Beni Isra’il, 17: 93) dhe i kishin kërkuar: “Nëse na tregon Zotin, atëherë do ta besojmë”. Por unë gjithnjë kur e dëgjoj këtë pyetje, ose e lexoj diku, më vjen shumë keq për ata që e shtrojnë atë. Pikëllim! Kur njeriu fillon të lëkundet, për shkak të perdes që mbulon mendjen e tij, ai nis të mohojë edhe gjërat shumë të qarta. Kjo pyetje nëse shtrohej në kohët e kaluara të hershme, ndonëse është e palogjikshme dhe e rreme, mund të ngatërronte përkohësisht njerëz të pamend, por në kohën tonë të shtrohet kjo pyetje është shumë e habitshme. Madje unë çuditem për gjendjen mendore të atij njeriu, që përpiqet të ndiejë kënaqësi duke bërë një pyetje të tillë. Sipas mendimit tim pyetje të tilla mund t’u shkojnë përshtat vetëm fëmijëve ose  atyre që janë me të meta mendore. Megjithatë, ngaqë kjo quhet një pyetje e zakonshme prandaj edhe duhet sqaruar. Unë shkurt do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe pastaj do të kthehem në temën kryesore.
 Ne kemi mjete të ndryshme, për të njohur gjëra të ndryshme. Për shembull ka shumë gjëra që mund t’i njohim duke i parë, duke i dëgjuar, duke i shijuar, duke i nuhatur ose duke i prekur ato. Të gjitha këto mjete janë njësoj të besueshme. Nuk kemi të drejtë të themi për një gjë të caktuar të cilën mund ta njohim vetëm nga një shqisë e caktuar, në mënyrë këmbëngulëse të kërkojmë ta njohim prej një shqise tjetër. Për shembull ngjyrat mund t’i dallojmë vetëm duke i parë, aromën mund ta njohim vetëm duke e nuhatur, po ashtu për zërin kemi veshët. Do të jetë budallallëk nëse do të thuash se nuk do ta besoj këtë ose atë aromë derisa të mos e shoh; ose derisa të mos e nuhas ndonjë ngjyrë ose derisa të mos e prek ndonjë zë nuk do të besoj në të. Ai që bën pyetje të tilla do të quhet i pamend dhe nëse nuk do të shtrohet në çmendinë, ai do të mbetet si qesharak për njerëz çapkënë. Por, është shumë e habitshme që njerëzit shpesh herë bëjnë pyetje të tilla edhe për Zotin, prapë këta mbahen si të mençur në shoqëri. Pse asnjë rob i Zotit nuk i pyet këta, se cili është shkaku i kësaj çmendurie! Vallë, a vetëm qenia e Zotit ka mbetur për t’u tallur me një përbuzje të këtillë?!
Deri këtu unë i kam përmendur vetëm ato gjëra të cilat mund t’i dallojmë me anë të shqisave. Por, në këtë botë, ka gjëra të panumërta të cilat ne nuk mund t’i dallojmë me anë të tyre, por prapë ne besojmë në to mu ashtu, siç besojmë në gjërat e tjera që mund t’i dallojmë me anë të shqisave. Për shembull fuqinë magnetike, as nuk mund ta shihni me sy, as nuk mund ta dëgjoni, as nuk mund ta nuhasni, as nuk mund ta shijoni dhe as nuk mund ta prekni atë me dorë. Por a ka njeri prej jush që do të guxojë ta mohojë këtë fuqi? Unë patjetër them se jo. Sepse ju e shihni veprimin dhe rezultatet e saj, edhe pse nuk mund ta konceptoni këtë fuqi drejtpërdrejt me anë të ndonjë shqise. Asnjëherë nuk ju shkon mendja që “ngaqë nuk e kemi parë këtë fuqi, as nuk e kemi dëgjuar e as nuk e kemi nuhatur apo shijuar, por edhe nuk e kemi prekur atë, prandaj nuk mund ta besojmë”. Në mënyrë të ngjashme është edhe fuqia elektrike, e cila nuk duket fare, por mbizotëron në jetët tuaja. Pra edhe këtë nuk mund ta mohoni, ndonëse s’mund të dëshmoni asgjë për të nëpërmjet asnjërës prej shqisave tuaja, por ju besoni në qenien e saj ashtu siç besoni, për shembull, në diell, në hënë, në mal etj.
Mendoni edhe për ndjenjën e dashurisë. A ka ndonjë që mund ta ketë parë, dëgjuar, nuhatur apo prekur atë? Unë nuk e di nëse ndër lexuesit e këtij libri, ka ndonjë prej tyre që e ndien fort dashurinë; nëse ka, atëherë unë do ta pyesja se a nuk e sheh ai që një zemër kaq e vogël, që ndoshta nuk mund të peshojë as një çerek kile, mban një oqean të pafundmë të dashurisë, e cila kur arrin të dallgëzohet, mbase, bëhet më e fuqishme ndër të gjitha krijesat e Zotit të Madhërishëm. Është dashuria, ajo që një njeriu të dobët dhe të paaftë i jep një fuqi të tillë që ai, për dashurinë e tij, sfidon edhe male të larta, kalon shkretëtirat, bëhet gati të ndeshet edhe me egërsirat ose të hidhet i gjallë në zjarr dhe me furi përballon edhe dallgët e fuqishme të detit, por nuk dorëzohet. Ai kalon netët pagjumë dhe ditën bredh si i çmendur; dhe gjakun e tij e derdh duke e shndërruar në lot, por nuk këputet. A ka njeri në botë që mund të pretendojë se kjo fuqi nuk ekziston? Por kush e ka parë këtë fuqi? Kush e ka dëgjuar? Kush e ka nuhatur? Kush e ka shijuar ose kush e ka prekur? Të ngjashme janë edhe ndjenjat e tjera të fuqishme si për shembull, mëshira, zemërimi, epshi, etj. të cilat ekzistojnë, edhe pse nuk i keni dëshmuar drejtpërdrejtë nëpërmjet ndonjërës nga shqisat. Është një mendim fëmijësh, të kërkosh një gjë të caktuar me anë të një shqise të caktuar. Qëllimi është që ta perceptosh atë, me anë të çfarëdo lloje shqise. … Sa dëshpërim i madh! “Vëma Kadarullaha Hakka Kadrihi” “Njerëzit nuk e vlerësuan Zotin ashtu siç duhej vlerësuar”. (El-Haxh, 22:75)
Miqtë e mi të dashur! Duhet të kuptojmë se sa më e trupëzuar të jetë një gjë, aq më lehtë mund të kapet me anë të shqisave dhe sa më e patrupëzuar të jetë, aq më i vështirë është perceptimi i saj me anë të tyre. Pikërisht për këtë arsye, kur përpiqemi të mësojmë për gjërat e patrupëzuara, ne duhet të mbështetemi në cilësitë dhe veprimet e tyre më shumë sesa në vëzhgimin e drejtpërdrejtë.
Si është e mundur atëherë që Zoti që është Qenia më e patrupëzuar (El-Letif) dhe gjithashtu Krijuesi i çdo gjëje të patrupëzuar të perceptohet nga sytë tanë fizikë? Kundërshtimi i kritikëve është absurd, që thonë se nuk do të besojmë në Zot përderisa nuk mund ta shikojmë Atë me sytë tanë. Kjo do të nënkuptonte se këta kritikë ose besojnë se Zoti është një qenie e trupëzuar, ose së paku dëshirojnë që Zoti të marrë një trup tillë, të cilin ata ta shikojnë me sytë e tyre.
Por, problemi është se në këtë botë ka miliona njerëz të verbër. Atëherë edhe ata kanë të drejtë të kërkojnë që Zoti duhet të marrë një formë tjetër fizike, e cila mund të preket, nuhatet ose shijohet. A nuk arrin kjo deri në atë shkallë sa të tallemi me Zotin? Sa e turpshme për një njeri që pretendon se ka mendje dhe zemër e që thotë se ne nuk mund ta besojmë Zotin përderisa të mos shohim gjithçka. Mbajeni mend se nëse Zoti do të shihet nga sytë e dikujt, atëherë nuk do t’ia vlente të besoje në Të. Për shembull, Zoti është i patrupëzuar, por në këtë rast Ai do të bëhej i trupëzuar. Zoti është i pakufizuar, por në këtë rast do të bëhej i kufizuar. Për më tepër nëse Zoti do të merrte pamje trupore dhe të kufizuar për botën tuaj, atëherë cila do të ishte garancia se ju nuk do ta kundërshtonit Atë, duke thënë se ju nuk besoni në një Zot të trupëzuar dhe të kufizuar?
O Zot im! Sa të përsosura dhe të patëmeta janë vetitë e Tua! Çdo veti Jote siguron përsosmërinë e vetisë tjetër. … I mjerë është ai që nuk e kupton këtë të vërtetë, sepse është në prag të shkatërrimit.
Shkurt, madhështia e Zotit qëndron në patrupëzimin dhe pakufizimin e Tij nga shikimi fizik i njeriut. Dhe s’ka vend të dyshohet për qenien e Tij nëse ne nuk e shikojmë, pasi ka edhe mënyra të tjera më të sigurta dhe më bindëse, nëpërmjet të cilave ne mund ta njohim Atë. Pra, o miq të dashur! A do të ndiqni ata njerëz të cilët kanë besuar në fuqinë magnetike, në energjinë elektrike, që u dorëzuan para fuqisë së kohës e të hapësirës dhe u nënshtruan para epsheve ose ndjenjave të tjera, edhe pse nuk i kanë parë me sy, por nuk u bënë gati që ta adhuronin Zotin dhe të përuleshin para Tij. Jo! Ju nuk do të bëni gjëra të tilla!!

No comments:

Post a Comment